![]() |
Bankat: Amnistia Fiskale, një Zhgënjim |
|
Sinjale negative lidhur me amnistinë fiskale po vijnë nga sektori bankar ku legalizimi i një shume të konsiderueshme parash po pritej pas miratimit të ligjit “Mbi legalizimin e kapitalit dhe faljes së një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor” Prillin e kaluar. Që nga hyrja e ligjit në fuqi, vetëm pak raste të legalizimit të parave janë raportuar kundrejt një pagese prej 3 përqind të tatimit në burim që i shkon buxhetit të shtetit. Bankat u përgatitën për të qënë gati për këtë process. Ato trajnuan stafin e tyre dhe treguan predispozicion të vazhdueshëm por shumë pak njerëz u paraqitën në dyert e bankave për të deklaruar të ardhurat e tyre të padeklaruara. Është herët të deklarosh shifra duke marrë parasysh numrin e madh të filialeve të bankave dhe agjensive bankare që operojnë në vend, rreth 530. Gjithsesi shifrat paraprake flasin për një zhgënjim të vërtetë. Bizneset dhe sektori bankar e drejton gishtin tek autoritetet shtetërore duke pretenduar se autoritetet nuk bënë sa duhet në drejtim të fushatave ndërgjegjësuese për informimin e publikut. Shoqata e Bankave Shqiptare tha se një reklamë në media vetëm Korrikun e kaluar nuk rezultoi me rezultat. Përderisa fushata ndërgjegjësuese nuk u aplikuan gjatë muajve të verës kur emigrantët ishin në vend, mundësitë për të pasur rezultate në pjesën tjetër të vitit duken të vakta. Deri në 31 Dhjetor të 2011, që është edhe afati i fundit për aplikimin e amnistisë fiskale , shifrat paraprake duken pesimiste. Gjithashtu, bankat konfirmojnë se një nga arsyet që ndalin njerëzit dhe subjektet në deklarimin e parave të tyre të padeklaruara është edhe frika nga pasojat e mundshme ligjore. Sipas tyre, Ministria e Financave nuk ka bërë shumë në aspektin e informimit dhe sqarimit të njerëzve se ato nuk do të përndiqen ligjërisht për paratë e padeklaruara sepse kjo është edhe brendësia e ligjit. Ligji i amnistisë fiskale i dedikon një kapitull të vecantë legalizimit të të ardhurave. Sipas udhëzimit të ligjit, cdo qytetar i Republikës së Shqipërisë si dhe subjektet fizike tregtare ose përfaqësuesit e tyre mund ti legalizojnë kapitalin në përputhje me procedurën e përcaktuar. Ato plotësojnë aplikimin në dy kopje dhe bankat hapin nga një llogari bankare për çdo individ i cili pranon t’i futet këtij proçesi. Bankat i studjojnë identitetin e individëve me shumë kujdes në bazë të ligjit “Mbi shmangjen e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit..” Bankat përgatisin një format standard i cili i jepet individëve që kalojnë këtë proces. Dokumenti përfshin shumën e paravë që do të legalizohet, kursin e këmbimit së bashkë me numrin e llogarisë së bankës dhe përllogaritjen e tatimit në burim prej 3 përqind e cila mbahet nga Banka dhe transferohete Thesarit në Ministrinë e Financave. Një kopje e dokumentit mbahet nga Banka dhe një tjetër nga aplikanti. Doganat Realizojnë Planin Situata duket krejtësisht ndryshe për doganat. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka raportuar rezultate të kënaqshme kur vjen puna tek proçesi i amnistisë fiskale. Deri më 15 shtator, 2011, doganat kanë raportuar rreth 2937 subjekte që kanë aplikuar për legalizim kapitali që kapin shumën rreth Lek14miliardë. Burimet nga doganat kanë deklaruar se aplikimi i 57 subjekteve është pranuar (duke paguar një total prej Lek10.544.159) ndërsa 11 të tjera janë skualifikuar për shkak të mosparaqitjes së dokumentave të duhura agjensisë së verifikimit të pronës. SI TË LEGALIZOSH PARA DHE SI TË TRANSFEROSH PARATË E LEGALIZUARA Le të marrim një shembull. Më 15 Shtator, 2011, individi X ka hapur një llogari bankare Y në masën prej Lek1,000,000 për t’i legalizuar ato sipas ligjin no: 10418 datë 21.4. 2011. Për efekt legalizimi, banka regjistron si tatim në burim 3 përqind të shumës, d.m.th. Lek30,000. Nëse e gjithë shuma në të holla e legalizuar apo një pjesë e saj transferohen në një llogari bankare jashtë shtetit, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në nenin 15 të ligjit. Edhe në këtë rast, penaliteti mbahet nga Banka dhe transferohet prej saj në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave. Për shumat në të holla në monedhë të huaj, penaliteti transferohet në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave pas konvertimit me kursin ditor të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. |
BACK TO MAIN PAGE |